Inhalatorët – Dobitë, Llojet dhe Përdorimi

Sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes shënojnë rritje të ndjeshme në kohën e sotme.

Diagnoza si astma, ethet e kashtës, bronkiti akut dhe kronik, pneumonia, etj., vihen re përherë e më shpesh. Shkaku kryesor për këtë rritje është ajri i ndotur. Një rol për zhvillimin e simptomave të këtyre sëmundjeve kanë edhe faktorët genetike, alergjitë.

Metoda bashkëkohore e përshtatshme për të luftuar sëmundjet e frymëmarrjes është inhalacioni. Inhalacioni është thithje direkte e avujve dhe ilaçeve në formë aerosoli me qëllim mjekësor. Pajisja me të cilën bëhet kjo procedurë në kushtet e shtëpisë dhe në spitale, quhet inhalator. Me anë të inhalatorit ilaçet e lëngëta shndërrohen grimca të imëta aerosoli, të cilat thithen në mushkëri me anë të një maske ose pipëze të posaçme  dhe aty e bëjnë veprimin e tyre kurativ.

Ç`janë inhalatorët?

Inhalatori është një pajisje që i transformon ilaçet nga forma e lëngët në grimca të imëta aerosoli (avulli) dhe në këtë mënyrë mundësohet thithja e tyre në mushkëri. Pjesëzat e transformuara përçohen përmes një tubi që është i fiksuar në maskën e fytyrës ose në pipëz.

Disa modele inhalatorësh kanë burim energjie rrymën elektrike dhe lidhen me prizën elektrike në shtëpi, modele të tjera janë portative dhe punojnë me bateri.

 Inhalatorët janë pajisje jashtëzakonisht të lehta për përdorim. Nga ne kërkohet vetëm ta vëmë maskën mbi hundët dhe buzët dhe ta thithim ilaçin. Koha e duhur për thithjen e pjesëzave të ilaçit në mushkëri është 5 deri 10 minuta.

 Në treg aktualisht ka nebulizatorë nga më të ndryshmet, por duhet thënë se sa më i lehtë dhe me më pak zhurmë të jetë një nebulizator, aq më i kërkuar është në treg.

Llojet e inhalatorëve

Janë disa lloje inhalatorësh:

Inhalatorë ultratinguj – e shndërrojnë solucionin mjekësor në aerosol me anë të valëve ultratinguj. Janë pa zhurmë dhe të përshtatshme për fëmijë. Një  disavantazh i këtyre pajisjeve është se valët e ultratingujve  ndikojnë në disa prej medikamenteve dhe kështu reduktohet efektiviteti i terapisë. Një tjetër disavantazh i këtyre inhalatorëve është se vëllimi i mbetur i tyre mund të jetë i lartë. 

Inhalatorë Mesh – Quhen edhe inhalatorë membranorë të teknologjisë së lartë. Ato funksionojnë me anë të një membrane me hapje të shumta mikroskopike, ku solucioni mjekësor shndërrohet në aerosol nëpërmjet vibracionesh me frekuencë të lartë. Ndër avantazhet kryesore të inhalatorëve mesh është harxhimi ekonomik i medikamentit; ato janë kompakte dhe të përshtatshme për transportim. Disavantazhi ka të bëjë me kategorinë e çmimeve ku bën pjesë ky inhalator.

Inhalatorë me kompresorë – Te ky lloj inhalatorësh solucioni mjekësor grimcohet me anë të një kompresori dhe grimcat arrijnë sistemin e frymëmarrjes nëpërmjet një rryme ajri. Përparësitë e tyre: mund të përdoren për të gjitha llojet e ilaçeve të terapisë respiratorë dhe se mund të gjenden në shumicën e farmacive. Disavantazh i inhalatorëve me kompresorë është se, kanë dimensione më të mëdha dhe janë më të zhurmshëm, me pak përjashtime.

 

 Pse duhet të përdorim inhalatorin?

Inhalatorët janë të mirë veçanërisht për inhalacione të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël. Në këtë moshë sëmundjet respiratorë janë mjaft të shpeshta.  

Terapia me inhalator quhet edhe mjekim me aerosolë. Substancat mjekësore që përdorim variojnë nga solucioni i zakonshëm fiziologjik deri te ilaçet për kontrollin e astmës dhe për sëmundjet inflamatore të rrugëve të frymëmarrjes.

 

Si duhet të përdorim inhalatorin me kompresor? 

  • Para se ta fillojmë inhalacionin, duhet të sigurohemi se i kemi të gjitha pjesët e tij:
  • Kompresorin e ajrit (pajisja)
  • Tubin e kompresorit
  • Gotën e inhalacionit
  • Maskën ose pipëzën
  • Medikamentet (ose flakone me një dozë apo mjete të matjes)

Pas kësaj duhet të ndiqen këto hapa:

  • Nebulizatorin e vendosim mbi një sipërfaqe të sheshtë e të fortë dhe e lidhim me prizën.
  • Shtojmë ilaçet në gotën e inhalacionit pasi ta kemi matur sasinë e nevojshme.
  • Gotën e inhalacionit e lidhim me maskën ose pipëzën.
  • Tubin e lidhim si me kompresorin e aerosolit, ashtu dhe me gotën e inhalatorit.
  • Kompresorin e ndezim nga butoni që të sigurohemi se punon në rregull. Avulli fillon të dalë nga ana e pasme e tubit. Pas kësaj rrimë ulur në një karrige të përshtatshme, ndërsa kur i bëjmë inhalacion fëmijës, është mirë ta marrin në prehër. Maskën duhet ta vëmë që të puthitet mirë në fytyrë dhe hundë dhe pastaj fillojmë të marrim frymë thellë. Nëse kemi mundësi, është mirë ta mbajmë frymën nja 2-3 sekonda dhe pastaj ta nxjerrim. Kështu ilaçi futet më mirë në rrugët e frymëmarrjes. Këtë procedurë e vazhdojmë rreth 10 minuta derisa të pushojë zhurma e pluhurizimit.
  • Tundeni gotën nëse mbetet ilaç brenda në të.
  • Para se të përdorni një ilaç të ri, konsultohuni me mjekun tuaj, i cili do të përcaktojë llojin, numrin dhe kohëzgjatjen e inhalacioneve që duhet të bëni. Mos i përcaktoni vetë inhalacionet.

 

Si duhet të kujdesem për inhalatorin tim?

Është e rëndësishme ta pastroni dhe ta dezinfektoni inhalatorin dhe të gjitha pjesët e tij pas përdorimit për të parandaluar një infeksion. Pastrojeni në një vend ku nuk ka tym, pluhur dhe dritare të hapura.

Udhëzime për pastrimin e inhalatorit:

  • Pas çdo proçedure duhet të shpëlani mirë me ujë të ngrohtë maskën (ose pipëzën), tubin dhe gotën e inhalacionit, pastaj duhet t`i shkundni mirë dhe t`i lini të thahen.
  • Para se ta vendosim në çantë, duhet të sigurohemi se pjesët janë tharë mirë. 
  • Të gjitha pjesët i vendosim me kujdes në çantë.
  • Ilaçet duhet t`i  mbani në vend të freskët dhe të thatë. Disa ilaçe duhet të mbahen në frigorifer, të tjera duhet të ruhen në dritë. Kontrollojini shpesh. Nëse kanë ndërruar ngjyrë ose kanë krijuar kristale, duhet t`i hidhni dhe t`i zëvendësoni me të reja.

Artikuj të lidhur

NDIQNI OFERTA DHE PROMOCIONET TONA AKTUALE! ABONOHUNI PËR NJOFTIMET.

Google reCaptcha: Invalid site key.

Google reCaptcha: Invalid site key.