Çfarë duhet të dini për alergjitë?

Çfarë janë alergjitë?

Alergjia është një reagim i ekzagjeruar i sistemit imun ndaj substancave të huaja zakonisht të padëmshme për trupin. Kur njeriu ka alergji ndaj një substance të caktuar, sistemi imun regjistron gabimisht se kjo substancë përbën rrezik për trupin dhe e sulmon.

Këto substanca të huaja që mund të shkaktojnë përgjigje imune, quhen alergjenë. Mund të veprojnë si alergjenë disa ushqime dhe ilaçe të caktuara, pluhuri i shtëpisë, polenet e bimëve, etj.

Sistemi imun, kur hyn në kontakt me alergjenë të tillë, prodhon molekula mbrojtëse, të quajtura antitrupa (imunoglobulina E). Këto antitrupa bëjnë që disa qeliza të lëshojnë substanca të ndryshme kimike (përfshirë histaminën), të cilat kur futen në qarkullimin e gjakut, arrijnë në organe të ndryshme dhe shkaktojnë simptoma të caktuara. Organet që preken më shpesh, janë sytë, hundët, fyti, mushkëritë, lëkura dhe sistemi i tretjes.

 

Llojet e alergjive

Disa prej alergjive janë sezonale (shfaqen në pranverë, në verë dhe herët në vjeshtë), kur koncentrimi i poleneve të caktuara në ajër është më i lartë. Alergjitë e tjera janë gjithëvjetorë, për shembull alergjitë ndaj pluhurit të shtëpisë dhe ndaj kafshëve. Alergjitë ndaj ushqimeve dhe ilaçeve shfaqen sa herë që njeriu i merr substancat përkatëse. Shumica e alergjive janë për tërë jetën.

Sipas alergjenëve dallojmë këto lloje shkaktarësh:

  • Akaret (parazite) në pluhurin e shtëpisë
  • Polenet e grurit, pemëve, barit
  • Ushqimet: qumështi lopës, e bardha e vezës, peshku, frutat, perimet, arrat
  • Kimia shtëpiake dhe kozmetika
  • Barnat: antibiotikët, medikamentet kundër dhimbjes
  • Pickime të insekteve: blerës, grerëzave, etj.

Pjalmi i luleve ose poleni është  ndër shkaktuesit më të shpeshtë të alergjive sezonale.  Janë grimcat polene, prej të cilave zhvillohen gametat mashkullore të bimëve me farëra. Polenet shpërndahen në ajër dhe mund të kalojnë distanca mjaft të mëdha të ndihmuar nga lëvizja e rrymave ajrore. Alergjia ndaj poleneve njihet si alergjia nga bari.

 

Faktorët e riskut për zhvillimin e alergjisë

  • Predispozicioni gjenetik: në qoftë se një pjesëtar i familjes vuan nga një alergji, risku është më i madh
  • Ekzistenca e astmës ose e sëmundjeve të tjera alergjike e shtojnë riskun e zhvillimit të alergjisë së barit
  • Në moshën e fëmijërisë alergjitë hasen më shpesh te çunat

Faktorët e disfavorshëm të mjedisit gjithashtu ndikojnë në zhvillimin e alergjive:

  • Ekspozimi ndaj tymit të duhanit në fëmijërinë e hershme predispozon për zhvillimin e alergjive.
  • Në ambientet që nuk ajrosen shpesh grumbullohen grimca të ndryshme irrituese të quajtura irritante. Ato irritojnë mukozën e rrugëve të frymëmarrjes dhe e bëjnë më të ndjeshme.
  • Lagështia në ambiente të mbyllura është një faktor për zhvillimin e rinitit alergjik (inflamacion i mukozës së hundës) te fëmijët dhe të rriturit. Lagështia krijon dhe kushte për zhvillimin e baktereve dhe mykrave patogjene.
  • Trafiku i rënduar i automjeteve shkakton ndotjen e ajrit me gazra të ndryshme si dyoksid squfuri, oksid karboni, grimca të imëta pluhuri, rrit pezmatimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe përforcon riskun e sëmundjeve alergjike te personat atopikë.

 

Cilat janë simptomat?

Simptomat e reagimeve alergjike mund të variojnë nga të lehta dhe të papërfillshme deri te shumë të rënda. Në disa raste alergjitë mund të shkaktojnë gjendje që rrezikojnë jetën dhe njihen si shok anafilaktik (ënjtje në fyt dhe gulçim, tension i ulët gjaku, kruajtje dhe ënjtje, nauze me të vjella).

Në përgjithësi, reaksioni alergjik shkakton inflamacion të trupit që manifestohet me klinikë të ndryshme, në varësi të sistemit të organizmit që ka prekur.
Simptomat që hasen shpesh:

  • Kruajtje e lëkurës dhe puçrra: më shpesh ndodh urtikaria dhe ekzema
  • Teshtitje: vazhdon me ditë, por jo gjithmonë me sekrecione
  • Rrjedhje e hundës: te alergjia sekrecioni është pa ngjyrë dhe i hollë, ndryshe nga të ftohtit ku sekrecioni është me ngjyrë të verdhërremë
  • Hundë e zënë: si rezultat i ënjtjes së mukozës
  • Konjunktivit alergjik: Kruajtje e syve dhe lotim, ënjtje dhe përskuqje të kapakëve të syve.
  • Fishkëllim gjatë frymëmarrjes

 

Si vihet diagnoza?

Kura e drejtë kërkon diagnozë të drejtë. Informacionin më të saktë mund ta japë testi i gjakut ose i lëkurës, me anë të të cilave identifikohet substanca ndaj së cilës është alergjik pacienti.

Testi i lëkurës përfshin injektimin e një sasie të vogël alergjenësh të purifikuara në lëkurë (midis bërrylit dhe parakrahut) sipas një prej këtyre tre metodave:

  • Test skarifikativ: bëhet një gërvishtje sipërfaqësore në lëkurë dhe aty vihet një pikë prej alergjenit që testohet
  • Test me shpim të lëkurës: së pari një pikë e alergjenit vendoset mbi lëkurë dhe pastaj shpohet për të lejuar një sasi e vogël e alergjenit të depërtojë
  • Test intradermal: alergjeni injektohet nën lëkurë

Pas një kohe të caktuar kontrollohet reagimi i lëkurës ndaj alergjenit.

Testi i gjakut ekzaminon sasinë e antitrupave alergjike të klasit IgE (imunoglobulinë E) në gjak.

 

Kurimi

Kura më e thjeshtë, efektive dhe pa pagesë do të ishte shmangia e kontaktit me ato alergjenë, ndaj të cilave personi ka ndjeshmëri të provuar. Mirëpo, në shumicën e rasteve kjo gjë është praktikisht e pamundur (p.sh. te alergjia ndaj pluhurit të shtëpisë).

Fatmirësisht, ekzistojnë barna për luftimin e alergjive. Ngandonjëherë terapia duhet të jetë e kombinuar me disa medikamente. Është vetëm mjeku që mund të përcaktojë terapinë më të përshtatshme, pasi të vihet diagnoza e drejtë.

 

Disa këshilla për alergjitë :

  •  Informohuni kur vjen sezoni i poleneve dhe konsultohuni me mjekun tuaj
  • Rrini në ambient të mbyllur gjatë ditëve të thata dhe me erë, kur koncentrimi i poleneve është i lartë, ajrosni më rrallë dhe shmangni shëtitjet në afërsi të fushave e parqeve.
  • Ndërroni shpesh filtrat e klimatikëve dhe ngisni automjetin me dritare të mbyllura.
  • Merrni një dush të shpejtë dhe ndërroni rrobat, kjo ndihmon që të hiqen polenet mbi rrobat, lëkurën dhe flokët kur keni qenë jashtë.
  • Zgjidhni fshesën e drejtë elektrike: më të mirat prej tyre për luftë me alergjinë kanë filtër HEPA. Ky lloj filtri kap edhe copëzat më të imëta të pluhurit dhe gjatë pastrimit parandalon që ato të kthehen përsëri në ajër.
  • Mos fshini pluhurin me leckë të thatë, sepse kjo shkakton ngopje të ambientit me copëza të mëdha dhe të imëta pluhuri
  • Nëse shtëpia ka lagështirë në nivele të larta, blerja e një rregulluesi të lagështisë së ajrit është zgjidhje e mirë
  • Lajini kafshët shtëpiakë: larja e rregullt e tyre parandalon riskun e grumbullimit të alergjenëve te kafshët shtëpiakë
  • Përdorni produkte kozmetike natyrale, preparate natyrale pastruese dhe larëse për të ulur në minimum irritimin
  • Bëni inhalacione për pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe largimin e sekrecioneve të grumbulluara.

Artikuj të lidhur

NDIQNI OFERTA DHE PROMOCIONET TONA AKTUALE! ABONOHUNI PËR NJOFTIMET.

Google reCaptcha: Invalid site key.

Google reCaptcha: Invalid site key.